Other news

More news »

08 October 2012

DEKLARATE PER MEDIA

Sot me datë 08 Tetor 2012, Familja Mbretërore Shqiptare ka kënaqësinë e veçantë të presë në rezidencën e saj, trashëgimtarët dhe pasuesit e familjes së patriotit të shquar Hasan Bej Prishtina.

DEKLARATË PER MEDIA

Sot, bëhen 117 vite nga dita e lindjes së Mbretit Zog I-rë, me figurën madhore të të cilit lidhen arritjet e shtetformimit dhe konsolidimit të shtetit shqiptar.. Gjithashtu sot me datë 08 Tetor 2012, Familja Mbretërore Shqiptare ka kënaqësinë e veçantë të presë në rezidencën e saj, trashëgimtarët dhe pasuesit e familjes së patriotit të shquar Hasan Bej Prishtina.

Ky takim është i një rëndësie të disafishtë, pasi është hera e parë që takohen dy familje të konsideruara dhe të trajtuara si në “armiqësi” nga shtypi i deritanishëm dhe qarqet antishqiptare.
Familja Mbretërore Shqiptare, konsideron se ka ardhur koha që të vërtetat historike, të thuhen ashtu siç janë dhe jo sipas interesave të politikës ditore. Mbreti Zog dhe Hasan Bej Prishtina janë figura kyçe në projeksionin e Shqipërisë moderne. Ishte angazhimi i tyre energjik për shpëtimin e kombit, ajo që pengoi qarqet antishqiptare për të realizuar planet e tyre shoviniste.

Këto qarqe u munduan pareshtur dhe vazhdimisht të nxisnin armiqësinë dhe përçarjen mes këtyre personaliteteve me peshë në çështjen kombëtare. Mbreti Zog ka vlerësuar gjithmonë lart figurën e patriotit të madh Hasan Bej Prishtina, duke kërkuar në mënyrë të vazhdueshme bashkëpunimin me të ,në interes të Atdheut dhe Kombit. Kur Hasan Bej Prishtina, për shkak të idealeve kombëtare, iu bashkua projektit të Mbretit Zog për ndërtimin e shtetit modern shqiptar, qarqet antishqiptare dhe shoviniste u frikësuan, dhe kështu, realizuan likuidimin fizik të patriotit Hasan Bej Prishtina, për t’ia mveshur më pas këtë krim të shëmtuar dhe të rëndë, nëpërmjet veglave të tyre propagandistike, Mbretit Shqiptar.

Në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë, problemi i bashkimit në të mirë të interesave të popullit dhe kombit, duhet të dalë në plan të parë, gjë që fillon me bashkimin familjeve, të cilat kanë kontribuar e luftuar për një shtet të pavarur dhe të konsoliduar shqiptar.

Familja Mbretërore Shqiptare, vlerëson përpjekjet e Qeverisë dhe punën konkrete të saj për vlerësimin e figurave historike, veçanërisht atyre të cilat janë përbaltur ose janë lënë në harresë nga regjimi diktatorial. Padyshim një vlerësim të veçantë meriton vendimi për rikthimin e eshtrave të Mbretit Zog I-rë në Atdhe, ndërtimi i Mauzoleumit, i shtatores së Mbretit Zog në bulevardin me të njëjtin emër në kryeqytet, si dhe i figurave të tjera të rëndësishme që kanë luajtur një rol të vyer në historinë e mbarë kombit shqiptar.

Vlerësimi i figurave historike është një proces që nuk mbaron me një datë të caktuar historike, por le të jetë 100 vjetori i Pavarësisë, shtysa më e madhe për historiografinë dhe politikën shqiptare që çdo padrejtësi të rishikohet me vëmendje dhe secilit t’i jepet vendi që meriton.

Zyra për Marrëdhënie me Publikun
Oborri Mbretëror Shqiptar